Secondary Adv

Skema kombëtare në bujqësi, udhëzimi i ri përcakton afatet, kriteret dhe dokumentacionin

Qeveria ka miratuar udhëzimin për zbatimin e skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, ku përcaktohen kriteret, procedurat dhe masat financiare për fermerët përfitues.

Sipas dokumentit të firmosur nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave, fondi i programit për vitin 2026 do të përdoret për pagesa direkte dhe investime në ferma, me fokus rritjen e prodhimit, formalizimin e aktivitetit bujqësor dhe modernizimin e sektorit. 

 

Skema përfshin 12 masa mbështetëse financiare për sektorin bujqësor dhe blegtoral. Në listë përfshihen subvencionet për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit, delet dhe dhitë, mbështetja për bletarinë, dosat dhe matrikullimin e tyre, subvencionet për serrat dhe tunelet plastike, fermat organike, certifikimin Global GAP, ripopullimin e peshkut si dhe grantet për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale. 

 

Mbështetja financiare për fermerët

Pagesa më e lartë direkte është parashikuar për lopët riprodhuese, ku fermerët mund të përfitojnë deri në 12 mijë lekë për krerë për tufën bazë të matrikulluar. Për delet dhe dhitë subvencioni arrin në 5 mijë lekë për krerë, ndërsa për bletarinë mbështetja është 2 mijë lekë për zgjua, me kusht që aplikanti të ketë të paktën 25 koshere. Për dosat dhe matrikullimin e tyre subvencioni shkon deri në 7 mijë lekë për krerë.

 

Një nga komponentët kryesorë mbetet mbështetja për serrat dhe tunelet plastike. Fermerët që kultivojnë perime në sera mund të përfitojnë deri në 400 mijë lekë në vit për blerjen e materialeve biologjike, ndërsa subjektet me status SHBB mund të marrin deri në 500 mijë lekë. Përfitimi jepet vetëm për sipërfaqe minimale të kultivuara dhe për fermerë të regjistruar në sistemet zyrtare të identifikimit. 

 

Skema mbështet edhe fermat organike, ku subjektet në kalim drejt certifikimit organik mund të përfitojnë deri në 200 mijë lekë në vitin e parë dhe 150 mijë lekë në vitet pasuese. Ndërkohë, për certifikimin Global GAP mbulohen kostot e analizave dhe certifikimit deri në 175 mijë lekë për certifikim individual dhe deri në 700 mijë lekë për certifikim në grup. 

 

Investime dhe procedurat e aplikimit

Për investimet në ferma bujqësore dhe blegtorale, udhëzimi parashikon mbështetje deri në 70% të vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 1 milion lekë për subjekt. Financohen ndërtimi apo rikonstruksioni i stallave, blerja e pajisjeve dhe makinerive bujqësore, sistemet e ujitjes, pajisjet për përpunim, investimet për energji të rinovueshme dhe modernizimi i proceseve të punës. 

 

Aplikimet për të gjitha masat do të hapen nga data 25 maj deri më 26 qershor 2026 dhe do të kryhen online përmes portalit e-Albania. Pas plotësimit të formularit elektronik dhe ngarkimit të dokumentacionit, sistemi gjeneron automatikisht një numër unik aplikimi dhe formularin përkatës. 

 

Sipas udhëzimit, fermerët mund të aplikojnë vetëm nëse kanë NIPT aktiv dhe janë të regjistruar në regjistrin elektronik të fermës. Për shumë nga masat kërkohet gjithashtu regjistrimi i kafshëve në sistemin RUDA, regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit për subjektet juridike dhe mungesa e detyrimeve ndaj AZHBR-së apo administratës tatimore. 

 

Kontrolle dhe përjashtime

AZHBR do të kryejë kontroll administrativ për çdo aplikim, ndërsa një pjesë e subjekteve do t’i nënshtrohen edhe verifikimeve në terren. Kontrollet do të fokusohen te ekzistenca reale e fermës, numri i kafshëve, sipërfaqet e mbjella dhe investimet e deklaruara. Në rast deklarimesh të rreme apo parregullsish, aplikimi refuzohet dhe subjekti mund të përjashtohet nga skemat mbështetëse. 

 

Dokumenti përcakton gjithashtu sistemin e pikëzimit për investimet, ku prioritet do të kenë fermerët e rinj, subjektet me status SHBB dhe investimet në energji të rinovueshme apo teknologji moderne. Fondet do të kalojnë në llogaritë bankare të përfituesve vetëm pas përfundimit të verifikimeve dhe konfirmimit të plotë të kritereve. 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat